Rruga e Skjesë – dhuratë për Kurban Bajram

0

Rruga që çon tek xhamia e Skjesë u ndërtua këto ditë me financimin e mërgimtarëve nga Kraja si dhuratë për Kurban Bajram.

Rruga e ndërtuar është 350m e gjatë, 3m e gjerë, dhe me trashësi prej 6-8cm. Pjesa e rrugës fare pranë xhamisë është shumë më e gjerë, në mënyrë që të ketë hapësirë për parkim.

Xhamia e Skjesë u ndërtua në vitin 1816. Para disa kohësh banorët vendas kanë rinovuar pjesën e brendshme të saj. Në vitin 1979 është dëmtuar nga tërmeti dhe pastaj është riparuar komplet deri në vitin 1984 kur është mbuluar dhe ndërtuar minarja. Nga ky riparim xhamia ka humbur formën e vjetër arkitektonike, që ka qenë e punuar me gurë. Te gjitha xhamitë në Krajë fatkeqësisht e kanë humbur formën e tyre – arkitekturën autoktone të ndërtimit.

Xhamia e Skjesë ka edhe prona të tjera, ku hyjnë edhe dy ishujt, njëri 4939m² dhe tjetri 2920 m².

Investimi që kanë bërë mërgimtarët e Krajës është vërtet impresionues dhe pët t’u lavdëruar, por njëkohësisht nxjerr në pah faktin se Kraja është lënë në harresë dhe tërësisht e izoluar nga autoritetet lokale të Tivarit dhe ato shtetërore. Kjo është fatkeqësi e madhe për shumë arsye, e veçanërisht sepse Kraja është nje pasuri e paçmueshme për trashëgiminë tonë kulturore.