4 nxënës nga Ulqini në Poloni

0

Sot, më datë 7 tetor 2014, Nënkryetari i Komunës së Ulqinit Ardijan Mavriq, së bashku me përfaqësuesit e Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, si dhe të Muzeut të Ulqinit, priti në takim Konsullin e Ambasadës së Polonisë në Mal të Zi Agnieszka Klasa dhe arkeologun Janusz Reclaw, asistent në Universitetin e Varshavës.

Gjatë këtij takimi, i cili është i dyti me radhë që zhvillohet në Ulqin, u diskutua mbi ekspozitën arkeologjike të organizuar nga Ambasada e Polonisë e cila do të mbahet në Ulqin në qershor të vitit 2015. Poashtu, në kuadër të kësaj ekspozite do të organizohet edhe seminari tre-ditor me arkitektë dhe arkeologë. Gjatë takimit të sotëm i është bërë edhe një vizitë kalasë, që është një nga vendet potenciale për realizimin e këtyre aktiviteteve, duke marrë parasysh historinë që mban në vete, ku arkeologu pati mundësi të njoftohet me thesare të vërteta që posedon Ulqini.

Poashtu, gjatë këtij takimi u diskutua edhe mbi shkëmbimin e katër nxënësve nga Ulqini në Poloni. Kjo ishte iniciativë e takimit të parë, por e cila u konfirmua sot që është definitive dhe do fillohet me procedurat e aplikimit që në mars të vitit të ardhshëm. Katër nxënës që do përzgjidhen nga shkollat fillore dhe të mesme të Ulqinit, të cilët duhet t’i takojnë grupmoshës prej 12 deri 16 vjeç. Ky do jetë një shkëmbim kulturor i cili do realizohet gjatë verës së vitit 2015 dhe do zgjasë 14 ditë. Nxënësit do vizitojnë qytetet bregdetare në veri të Polonisë.

Janë hapur edhe çështje të tjera ku Ambasada e Polonisë mund ta ndihmojë Komunën e Ulqinit, por që mbeten të diskutohen më detajisht gjatë takimeve të cilat do të mbahen në të ardhmen.